Secondary Adv

Si do shpërndahen 15 mln euro kompensim për fëmijët në llogaritë bankare të përfituesve

Fondi prej 15 milionë eurosh për kompensimin e arsimit të fëmijëve do të disbursohet gradualisht, pas verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga përfituesit përmes DIVA 2025.

Disbursim mujor, jo i menjëhershëm

Pak ditë më parë u hapën aplikimet për përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve, për individët që plotësuan Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2025, dhe rezultuan me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë apo 100 mijë lekë në vit për fëmijët nën 18 vjeç.

 

Administrata tatimore ka sqaruar se shuma nuk do të kalojë menjëherë në llogaritë bankare pas dorëzimit të kërkesës. Fillimisht do të kryhen verifikimet e dokumentacionit justifikues të paraqitur nga aplikuesit. Duke qenë se kjo skemë zbatohet për herë të parë, është vendosur që pagesat të kryhen një herë në muaj, për grupe të caktuara përfituesish, me qëllim administrimin sa më efikas të numrit të lartë të aplikimeve dhe kontrolleve përkatëse.

 

Afatet dhe dokumentacioni

Afati për dorëzimin e kërkesës për rimbursim është 60 ditë pas plotësimit të DIVA, ndërsa deklarata DIVA 2025 duhet të plotësohet deri më 31 mars. Pas dorëzimit të saj, aplikimi për kompensimin bëhet nëpërmjet sistemit e-Filing, në rubrikën “Pyetje të Përgjithshme”.

 

Përfituesit duhet të bashkëngjitin dokumentin me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN), certifikatën familjare si dhe dokumentacionin që provon shpenzimet për arsimimin e fëmijëve, përfshirë kontratat me institucionet arsimore dhe faturat përkatëse për pagesat e kryera, përfshirë edhe kurset e gjuhëve të huaja apo shërbime të tjera arsimore.

 

Rritet numri i deklaruesve

Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për këtë skemë arrin në 15 milionë euro. Administrata tatimore parashikon që rreth 200 mijë individë do të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA 2025.

 

Për shkak të mundësisë së zbritjes së shpenzimeve për arsimin e fëmijëve, deklarata po plotësohet edhe nga individë që më parë nuk kishin detyrimin ligjor për ta dorëzuar, si ata me të ardhura bruto vjetore nën 1.2 milionë lekë. Krahasuar me DIVA 2024, pritet që numri i deklaruesve të rritet me rreth 75.5 mijë persona, ose 60 për qind më shumë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat